Shkas për këtë shënim të gjatë, u bë një miku im, që gjithë entusiazëm më dërgonte foton e një gazete të Zyrihut të vitit 2017, ku shkruhej se “Skënderbeu” i Korçës – metropol i kulturës shqiptare- luante në Bernë me ekipin vendas.
Në vend të gëzimit, fraza më shkaktoi një lloj keqardhje, se më ngacmon një plagë të vjetër të shpirtit, atë të bjerrjes së kulturës në Korçë, pas Luftës së Dytë Botërore. Thuajse njëlloj sikundër kur dëgjoj disa kastravecë gjysëm analfabetë, që mburren kafeneve të vendit dhe jashtë tij se “jemi pe Korçe dhe kemi kulturë“.
Nëse dikush në vitin 2017 e ka informuar gazetarin zviceran për kulturën e Korçës, e ka informuar për një mit. Vërtet në vitet ‘30, si e ka cilësuar Indro Montaneli, Korça ishte qyteti më perëndimor i Shqipërisë edhe pse në skajin lindor të saj. Ka patur shumë arsye, që një qytet i ri shqiptar, u zhvillua shpejt ekonomikisht dhe u ngrit nga ana kulturore më lart se të tjerët. Në shënime të tjera të këtij blogu kam përmendur rënien e Voskopojës dhe përfitimin e trashëgimisë së saj, pozicionin e favorshëm gjeografik në kryqëzimin e rrugëve që të çonin në Manastir, Selanik dhe Durrës, fenë ortodokse të shumicës së popullsisë (më tolerante se ajo islame) dhe veçanërisht emigracionin në Misir, Rumani, por sidomos atë në Amerikë.
Fshatarët e Korçës, që u kthyen nga emigracioni dhe u vendosën në qytet, ishin më të pasur dhe më me eksperiencë perëndimore, se sa homologët e tyre të Shkodrës, Durrësit apo Elbasanit. Kjo sillte dëshirën për të arsimuar fëmijët e tyre dhe për të ndërtuar një jetë shoqërore të ngjashme me atë të qyteteve amerikanë ku kishin punuar. Ata që kishin punuar në Misir, përgjithësisht ishin kthyer me shuma të mëdha financiare dhe kishin filluar prej atje të shkollonin fëmijët e tyre në universitetet europiane.
Kështu kultura e qytetit filloi të ngrihej dhe ta bënte Korçën të dallohej nga qytetet e tjera shqiptare. Dhe me kulturë dihet që nuk kuptojmë vetëm veprimtaritë artistike dhe arsimore, por mënyrën e jetesës, të veshjeve, të ndërtimeve, të gatimit dhe mbi të gjitha të sjelljes së njerëzve dhe qëndrimit ndaj rregullave dhe ligjeve.
Edhe qytete greke dhe maqedonase të të njëjtës madhësie ishin nën nivelin kulturor të Korçës. Dallim bënte vetëm Selaniku, që kishte një traditë të gjatë historike si dhe një komunitet të pasur hebre.
Duke imituar qytetet më të përparuar europiane, në Korçë u formua e para shoqëri sportive shqiptare, e para orkestër frymore, u hap kinemaja e parë e me rradhë. Etja për veprimtari artistike- kulturore ishte në rritje veçanërisht pas hapjes së Liceut Francez, i cili ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e kulturës qytetare korçare.
Por pa e idealizuar, duhet thënë se ishte një dëshirë në rritje e një shoqërie me rrënjë jo të thella kulturore, sepse si e përmenda më lart, shumica e shtresës së pasur dhe të mesme, ishin fshatarë të kthyer në borgjezë të vegjël. Në Korçë nuk kishte arsitokraci. Shumë njerëz që shkruajnë në rrjetet sociale apo dhe mediat tradicionale, ja fusin kot kur përmendin termin e sajuar “aristokracia korçare”.
Ndaj është plotësisht realist konstatimi i Spiro Comorës në komedinë “Karnavalet e Korçës” në portretizimin e familjes së Nikollaq Jorganxhiut, si një familje të pasur por jo me themele të shëndosha kulturore. Comora kishte jetuar në qyetet për shumë vjet dhe e kishte njohur atë realitet.
Ndaj edhe pse qyteti më i kulturuar, Korça kishte më pak biblioteka personale të pasura si mund të kishte Shkodra apo Elbasani. Gjithashtu studiuesit dhe shkencëtarët e mirëfilltë ishin më të pakët në numur se në dy qytetet e mësipërm.
Por kishte piktorin më të mirë shqiptar (Vangjush Mio), sopranon më të mirë (Tefta Tashko), pianisten më të mirë (Lola Gjoka), tenorin më të mirë (Kristaq Antoniu) dhe kompozitorin më të mirë (Kristo Kono). Në fushën e letrave korçarët nuk ishin në nivelet e Fishtës, Mjedës apo Koliqit, por kishin gazetat më serioze të kohës.
Kjo deri fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
(vijim)

No comments:
Post a Comment